Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar edhe si t’i qaset dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe kandidatët potencialë për ta ndërmjetësuar atë.
Prej se është konfirmuar se përfaqësuesi i tashëm i posaçëm i BE-së në këtë dialog, Mirosllav Lajçak, është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, ku duhet të nisë mandatin më 1 shtator, kanë nisur edhe spekulimet se kush do të jetë pasardhës i tij.
Por, burimet diplomatike në BE thonë për Radion Evropa e Lirë se “më e rëndësishme se kush do të jetë në këtë post, është se çfarë qasjeje do të kenë BE-ja dhe strukturat e saj të reja – që do të dalin pas zgjedhjeve evropiane – ndaj këtij procesi”.
Sipas burimeve diplomatike, edhe zgjedhja e pasardhësit të Lajçakut, në një mënyrë, është e lidhur me zgjedhjet evropiane, që do të bëhen këtë verë.
Këto burime thonë se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, nuk do të jetë ai që do ta emërojë pasardhësin e Lajçakut në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por se kjo do t’i lihet shefit apo shefes së ardhshme të politikës së jashtme të BE-së.
“Ne jemi tash në një fazë ku po qarkullojnë emra të kandidatëve potencialë për pasardhës të Lajçakut në rolin e ndërmjetësuesit në dialog. Por, do të presim që, së pari, të emërohet përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar. Pasi që ai është edhe udhëheqës i dialogut në nivel të lartë, është logjike që të ketë mundësi të vendosë se kë duhet ta emërojë në rolin e të dërguarit të posaçëm për dialog“, thotë një diplomat i BE-së.
Emërimi i përfaqësuesit të lartë është një proces që mund të zgjatet, sepse lidhet me emërimet në postet e tjera udhëheqëse të BE-së, për të cilat duhet të ketë një balancë mes grupimeve partiake në BE dhe mes vendeve anëtare./REL