Kryeministri Albin Kurti tha se ka “bashkëpunim të ngushtë” me presidenten Vjosa Osmani, ani pse kjo e fundit tregoi hapur se së fundmi ka munguar komunikimi Qeveri-Presidencë.
Kurti tha se nganjëherë ai ka diskutime e dallime edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, por shtoi se nuk beson që ato janë “të patejkalueshme”, raporton Gazeta Express.
“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin Konjufca, edhe me ministren e Jashtme, Gërvalla, edhe me presidenten Osmani nuk kemi pasur diskutime, nganjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla të cilat janë të patejkalueshme apo..”, tha Kurti.
Moskoordinimi për një letër të dërguar në Strasburg duket se i dha fund marrëdhënieve të mira ndërmjet kryeministrit dhe presidentes. Vjosa Osmani thotë se ajo letër e nxori Asociacionin nga marrëveshja me Serbinë. Albin Kurti këtë e ka përdorur si argument kryesor përballë BE-së dhe SHBA-së kur e ka kundërshtuar zbatimin e Asociacionit.