Edhe zyrtarisht, Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka refuzuar propozimin e Avokatit të Popullit për ndaljen e Grevës.
Këtë, SBASHK e ka bërë të ditur me anë të një komunikate për media, shkruan lajmi.net.
Sindikata aty thotë se ky propozim është i njëanshëm dhe nuk përmban kërkesat legjitime të grevistëve.
Madje, aty akuzon Avokatin e Popullit se ka hyrë në rrugën e shantazheve për të përçarë sindikatat.
“Në takimin e mbajtur në orët e vona me kryetarët e sindikatave komunale dhe të universiteteve, që njëkohësisht janë edhe kryetarë të Këshillave greviste të nivelit komunal dhe të universiteteve u diskutua lidhur me një letër dhe një aktpajtimi, të cilën SBASHK e mori në orët e vona të pasdites nga Avokati i Popullit, duke e analizuar në detaje këtë aktmarrëveshje të propozuar dhe njëzëri ata vlerësuan se ky propozim i dërguar nga Avokati i popullit është i njëanshëm, nuk i përmban kërkesat legjitime të grevistëve, të dërguara sot pasdite nga SBASHK-u dhe dje nga BSPK-ja tek Avokati i Popullit dhe vlerësojnë se letra e tillë, e dërguar në orët e vona, me tentim që marrëveshja të bëhet, jo me Këshillin Grevist të BSPK-së, ashtu si e parasheh Ligji për grevat, por me kryetarin e BSPK-së dhe të SBASHK-ut në njërën anë dhe në anën tjetër, jo me kryeministrin që e përfaqëson Qeverinë e Kosovës, por me ministrin Murati dhe ministren Nagavci tregon që edhe Avokati i Popullit ka hyrë në rrugën e shantazheve për të përçarë sindikatat me qëllim që të grevistët të krijohet eventualisht bindja se sindikatat janë tërhequr nga kërkesat, gjë nuk është e vërtetë”, thuhet në reagim.
“Prandaj greva vazhdon deri në një marrëveshje që plotëson kërkesat e anëtarësisë”, thuhet në letrën e SBASHK-ut.
Lajmi.net më herët raportoi për kërkesat që SBASHK ka adresuar tek Avokati i Popullit