Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Jamie Shea, pas avancimit të statusit të vendit të vogël në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, konsideroi se tash është momenti i duhur që aleatët të shtyjnë përpara ambicien e Kosovës për t’u anëtarësuar në programin e bashkëpunimit mes shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s apo Partneritetin për Paqe (PfP).
“Është pozitive që Asambleja Parlamentare e NATO-s vendosi në favor të përmirësimit të partneritetit të Kosovës dhe NATO-s në diçka afër statusit të plotë të PfP-së. Është koha e fundit që kjo të ndodhë ngase do ta afrojë Kosovën më pranë NATO-s dhe do të ndihmojë në përmirësimin e mëtejshëm të ndërveprimit ndërmjet NATO-s dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK)”.
Institucionet e Kosovës duan t’iu bashkohen strukturave të aleancës ushtarake, duke filluar nga programi i PfP-së, i cili është krijuar në vitin 1994. Megjithatë, vendimet në aleancën më të suksesshme ushtarake, përfshirë edhe PfP-në, që vlerësohet të jetë paradhomë e NATO-s, merren me konsensus nga Këshilli i Atlantikut – trupi vendimmarrës i organizatës.
Duke qenë se brenda NATO-s janë katër shtete mosnjohëse – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – atëherë rruga e vendit të vogël drejt përmbushjes së këtij synimi madhor vlerësohet tejet e vështirë. Por, avancimi i statusit së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s konsiderohet të jetë koha e duhur edhe për rihapjen e debatit për anëtarësimin e Kosovës në PfP.
“Miqtë e Kosovës mund ta përdorin këtë nëse dëshirojnë që të rihapin debatin në NATO për statusin e partneritetit të Kosovës. Shpresoj shumë se ata do ta bëjnë këtë në një mënyrë për ta mbajtur Kosovën në agjendën politike të aleancës”, theksoi Shea, duke shtuar se pret lëvizje në korrik të këtij viti kur NATO do të mblidhet për samitin jubilar, ditëlindjen e 75-të.
“Samiti i 75-vjetorit të NATO-s në Uashington në korrik është një mundësi ideale sepse aleatët do të kërkojnë rezultate dhe veprime konkrete për të demonstruar se NATO është duke ecur përpara dhe është duke rritur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor kundër ndikimit keqdashës rus”.
Asambleja Parlamentare e NATO-s nuk është organ zyrtar i aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), por shërben si një urë lidhëse mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Megjithatë, vlerësoi specialisti i sigurisë, injorimi i vullnetit të parlamentarëve të zgjedhur nuk është një lëvizje e mençur për t’u bërë.
Në favor të avancimit të statusit të Kosovës votuan shumica e vendeve anëtare, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar nga votimi i 27 majit 2024, në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet u mbajt në Sofje të Bullgarisë.
E derisa vazhdon lufta në Ukrainë, pasiguria do të jetë realitet i përhershëm, ndërsa përpjekjet për siguri kombëtare preokupim i vazhdueshëm i Kosovës. Prandaj, anëtarësimi në PfP, që synon të rrisë stabilitetin dhe të ndërtojë raporte të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s, vlerësohet të jetë një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së këtij qëllimi.