Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot pasdite seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për miqësoren kundër Norvegjisë, që zhvillohet më 5 qershor.
Ekipit iu ka bashkuar edhe portieri Arijanet Muric, i cili për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore ka munguar në ditët e para të grumbullimit.
Ai ka marrë pjesë në stërvitjen e sotme, derisa me intensitet të plotë kanë stërvitur edhe Edon Zhegrova dhe Amir Rrahmani, të cilët një ditë më parë kishin shqetësime të vogla.
Edhe në stërvitjen e sotme djemtë dardanë kanë punuar me përkushtim maksimal, përkundër temperaturave goxha të larta, derisa përzgjedhësi Franco Foda ka vazhduar ta prezantojë filozofinë e lojës të cilën synon ta aplikojë në ndeshjet e ardhshme.
Pas stërvitjes opinionet e tyre për punën e deritashme në këtë grumbullim dhe pritjet që kanë për miqësoren me Norvegjinë i dhanë Mërgim Vojvoda dhe Visar Bekaj.
“Besoj që kemi treguar koncentrim deri tash sepse nuk është lehtë kur e dimë se kampionati ka përfunduar. Por stërvitjet kanë shkuar mirë, çdo lojtarë është në rregull dhe shpresoj të jenë të gjithë në dispozicion.
Trajneri po mundohem me idetë e tij të përgatitemi sa më mirë. Duam që të krijojmë lojën tonë, filozofinë tonë, idetë e trajnerit për ato lojë që na vijnë në shtator. E dimë se Norvegjia është ekip i fortë fizikisht, ka lojtarë të mirë, por duhet të luajmë lojën tonë dhe e presim me pozitivitet për fitore. Shpresoj të kemi mbështetjen e bashkatdhetarëve sepse na vyn përkrahje e tyre. Kemi nevojë për ta dhe na bëhet qejfi që të ketë sa më shumë shqiptarë”, tha Vojvoda pas stërvitjes.
Edhe portieri Visar Bekaj theksoi se gjatë katër ditëve kanë punuar mjaft mirë.
“Në fillim kemi pasur stërvitje më intezive, kurse me afrimin e ndeshjes po punojmë më shumë taktikisht. Jemi duke e anilizuar mirë kundërshtarin. Është ndeshje miqësore, por prapëseprapë e ka rëndësinë e vet dhe duhet të fokusohemi 100 përqind. Duhet të fusim në ekip mentalitet fituesi dhe shpresoj të shkojmë të bëjmë lojë të mirë atje dhe pse jo të fitojmë, pastaj të vazhdojmë në Ligën e Kombeve me fitore. Norvegjia ka lojtarë të mirë.
Pika e fortë e tyre është mesfusha dhe sulmi, por në ndeshjet e fundit kanë çaluar në mbrojtje. Shpresoj se do të analizojmë deri në fund se ku i kanë pikat e dobëta dhe të dalim mirë. Po ashtu, i ftoj bashkatdhetarët që të na mbështesim sa më shumë dhe shpresoj t’i gëzojmë me fitore”, tha Bekaj.
Nesër paradite Dardanët e zhvillojnë stërvitjen e fundit në Kosovë, derisa më pas marrin rrugë për në Oslo.