Arrestimi i Tefik Mustafës nga autoritetet serbe nxjerr në pah manipulimin e Serbisë me listat e të vrarëve në Kosovë, ka deklaruar Bardhyl Mahmuti, njëri prej themeluesve të UÇK-së.
Ai ka thënë se në kumtesën e djeshme të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, kriminelit Ivica Daçiq dolën në shesh emrat e policëve që Qeveria e Serbisë i kishte zhvendosur në “listën e civilëve të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999”.
“Duke njohur mënyrën e funksionimit të institucioneve shtetërore të Serbisë, është plotësisht e besueshme që fati i policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq, Predrag Millosheviq dhe Predrag Millkoviq të kishte qenë i njëjtë si i policit Sreçko Majanoviq, i cili kishte vdekur më 4 gusht 1998, nga plagët e marra gjatë luftimeve me UÇK-në më 1 gusht 1998, u “ringjall” në vitin 1999, për t’u “rrëmbyer dhe zhdukur nga terroristët shqiptarë, pas përfundimit të luftës””, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kumtesa e Daçiq është kundërthënëse, pasi fillimisht shpall Tefik Mustafën si “të dyshuar për krime kundër civilëve”, ndërkaq sjell “deklaratat e dëshmitarëve për tre policë të rrëmbyer”, por nuk ka asgjë kundërthënëse në mënyrën e funksionimit të Serbisë nën udhëheqjen e atyre që ishin pjesëmarrës të institucioneve shtetërore gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Bardhyl Mahmuti ka thënë se ka verifikuar disa të dhëna pasi e ka lexuar njoftimin e autoriteteve serbe për rastin.
“Meqenëse pretendohet se policët ishin rrëmbyer më 19 qershor 1999, fillimisht kërkova emrat e tyre në listën e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme “të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999”. Nuk i gjeta emrat e tyre! Pastaj kërkova në “listën e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme të vrarë, të rrëmbyer ose të zhdukur nga 1 janari 1998 deri më 10 qershor 1999”. As aty nuk ishin! Në fund konsultova “listën e civilëve serbë e malazias të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999. Në numrin rendor 446 të kësaj liste figuron “Goran Marinkoviqi, i lindur më 25.09.1972, në Slivovë, nga babai Srbolub. I rrëmbyer më 19.06.1999 në rrugën Slivovë-Prishtinë, së bashku me të njohurin e tij, Zhivorad Paviq, me të cilin udhëtonin për në Vranjë”. Është e kuptueshme që mos përfshirja e Goran Marinkoviqit dhe Zhivojin Paviqit në “listën e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme” dhe prezantimi si “civilë të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999” kushtëzoi fshehjen e të dhënave se këta të dy kanë qenë kolegë, por prezantohen vetëm si persona që njiheshin. Më kot kërkova emrin e policit Predrag Millosheviq. Ai nuk figuron në asnjërën nga listat e publikuara deri tani nga Qeveria e Serbisë”, ka thënë ai.
Mahmuti thotë se sikurse në rastin “Panda” dhe në shumë procese të kurdisura nga pushteti serb, ku u arrestuan shqiptarë të pafajshëm, dje u arrestua Tefik Mustafa dhe se reagimi i institucioneve shtetërore të Kosovës, të Shqipërisë dhe atyre ndërkombëtare duhet të jetë i menjëhershëm dhe i ashpër.