Pikërisht kur pritej që raporti i kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell për heqjen ose jo të masave të vendosura ndaj Kosovës të përfundohej, zhvillimet e fundit po në veri të Kosovës duket të kenë ndikuar në kohëzgjatjen e kësaj pritjeje.
E frikën për zgjatje të procesit me gjasë po e vazhdon edhe mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme në institucionet e BE-së.
Nga zyra e zëvendëskryeministrit bëjnë thirrje që kjo të mos ndodhë gjersa e vlerësojnë heqjen e masave të vonuar.
“Bashkimi Evropian duhet t’i largojë masat ndëshkuese e të padrejta ndaj Kosovës, teksa vendi ynë i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura më herët, përmes marrëveshjes së Bratisllavës. Me mbajtjen dhe përfundimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk ka më asnjë kuptim vazhdimi i mbajtjes së masave. Situata në terren për të cilën padrejtësisht u akuzua Kosova për eskalim, tashmë ka muaj që është de eskaluar”.
“Mbetemi në pritje të raportit të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në të cilin duhet të konstatohet përmbushja e obligimeve të marra nga autoritetet tona. Çfarëdo konstatimi i ndryshëm do të ishte i padrejtë, do të përbënte shtrembërim të zhvillimeve në terren dhe domosdoshmërisht keqpërdorim të njëanshëm dhe të pakuptimtë të masave nga ana e KE. Veriu i është rikthyer normalitetit e çdo ditë po punohet në integrimin e komunitetit serb, përtej tentativave dhe qasjes destabilizuese të fqinjit tonë verior. Heqja e masave e cila është tejet e vonuar, nuk duhet të shtyhet për më tej në dritën edhe të zgjedhjeve të ardhshme në institucionet e Bashkimit Evropian. Ripërsërisim thirrjen, për heqjen e tyre sa më parë”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Pavarësisht kohës që do të marrë raporti, sipas njohësve të fushës ai nuk ka qenë i nevojshëm fare që nga fillimi.
“Është e vështirë të thuhej se sa do kohë do merrte raporti por ai nuk do duhej të përpilohej dhe t’i dërgohej Këshillit evropian për votim sepse vendimin për masat ndëshkuese e ka marrë komisioni dhe i njëjti gjithashtu, mund të marrë vendim për heqjen e masave dhe nuk ka nevojë të dërgohet një raport i tillë”, tha Seb Bytyqi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
E i njëjti thotë se veprimet e fundit karshi veprimtarive ilegale në Kosovë, do ta kenë efektin e tyre në heqjen e masave.
“Pritet që të ketë një heqje graduale të masave. Mund të thuhet që ka mundësi të vonohet gjithçka për shkak të zgjedhjeve evropiane që mbahen në qershor. Edhe nëse hiqen masat, do ketë heqje të pjesshme të masave kurse sa i përket zhvillime që kanë ndodhur, p.sh. mbyllja e bankave paralele. Këto dhe të tjera do merren parasysh në raport dhe do jenë arsyetim shtesë për heqjen graduale të masave”, tha Bytyqi.
Si shkak i hyrjes në procesin zgjedhor të BE-së, nuk pritet që Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare në bllokun evropian të mbaj mbledhje për asnjë çështje.
Masat ndëshkuese të vendosura nga BE-ja për Kosovën erdhën pas vlerësimit të Brukselit se vendi nuk ndërmori hapat e kërkuar për ulje të tensioneve në veri./Dukagjini