Art Smakaj është përgjigja e Kosovës për zemrën e mesfushës, ku mungesa e alternativave për këtë pozitë i ka shkaktuar jo pak telashe kombëtares në kualifikueset e fundit për Kampionatin Evropian.
Mungesa e profilit të mesfushorëve qendror me tipare defanzive, ka qenë një boshllëk që nuk arriti ta mbulonte as selektori i ri Franco Foda në dy ndeshjet e para të tij nën udhëheqje të Kosovës.
Megjithatë, gjermani duket se e ka një ide dhe ajo quhet Art Smakaj, një 21-vjeçar, mesfushor klasik me tipare defanzive i cili është emri i ri në listën e futbollistëve të ftuar nga Foda për miqësoren ndaj Norvegjisë.
1,77 centimetra i gjatë, me përvojë tashmë gati dy vjeçare si futbollist i ekipit të parë të Lokomotivës së Zagrebit, Art Smakaj është një yll në ngritje i futbollit kroat.
Sezonin e kaluar të kampionatit kroat, ani se veç sa kishte mbushur 19-vjeç, mesfushori korpulent shqiptar debutoi në ndeshjen e parë duke u përballur me sukses ndaj yjeve të Dinamo Zagrebit, kampionit të shumëfishtë të ligës. Ndeshja e luajtur në shtatorin e 2022-s, përfundoi 3-2 për Dinamon. Smakaj regjistroi një asist.
Ndonëse i lindur në Zagreb, me prindër me origjinë nga Kosova, ai e ndjen Kosovën.
Deri më sot, 21-vjeçari i ka bërë tetë paraqitje për kombëtaren e Kosovës U21, të cilën e ka cilësuar si “ndjenjë të veçantë”.
“Të luaja për kombëtaren e re të Kosovës ishte një ndjenjë e veçantë për mua, veçanërisht në atë ndeshje kundër Anglisë, për të cilën luajnë lojtarë të Premierligës”, kishte thënë Smakaj në një intervistë të realizuar disa muaj më parë për portalin kroat Germanijak.hr.
Sivjet, Smakaj ka shënuar një gol dhe ka realizuar tri asistime në 26 ndeshje në kampionat me Lokomotivën.
Nëse vazhdon me hapat e njëjtë, pas një edicioni shumë pozitiv në klubin e tij, edhe në kombëtare, ai pritet të jetë garanci për Kosovën e re të Franco Fodas. /Paparaci.com