Pas më shumë se një javë prej kur u zhvillua aksioni policor në veri, ku u mbyllën gjashtë filiale të Bankës Postare Kursimore të Serbisë, që operonte në katër komunat atje, sot policia ia ka mësyrë edhe njëherë njërës prej filialeve të kësaj banke në Mitrovicën e Veriut.
Në vazhdën e veprimeve hetimore në lidhje me rastin e titulluar “Dinari serb”, sot është kontrolluar një kasafortë e cila në kohën e kryerjes së kontrollit nuk ishte arritur të hapej në mungesë të personit përgjegjës i cili kishte çelësat.
“Hetuesit policor kanë arrit që me datë 29.05.2024 të identifikojnë menaxherin e pikës, e cila është kontaktuar dhe ka sjellë çelësat e kasafortës në prezencën e së cilës është hapur dhe janë sekuestruar mjetet monetare si në vijim:
152,290.00 Dinar (njëqind e pesëdhjetë e dy mijë e dyqind nëntëdhjetë dinar serb)
4580€ (katërmijë e pesëqind e tetëdhjetë euro)
940 CHF (Nëntëqind e dyzet franga zvicerane)
Pas përfundimit të kontrollit menaxherja e pikës është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës në prezencën e Avokatit mbrojtës, përderisa procesi i kontrollit është zhvilluar pa asnjë incident.” – ka njoftuar Policia.
/GazetaSinjali/