Në njëvjetorin e sulmit të serbëve të rebeluar ndaj KFOR-it në veri, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka publikuar pamjet e hyrjes së ndërtesës së Komunës së Zveçanit më 29 maj 2023 dhe pamjet të njëjtës ndërtesë një vit më vonë.
Sveçla në një postim në rrjetin X ka thënë se shumëçka ka ndryshuar në veri të Kosovës, por duhet treguar vigjilentë ndaj paqes dhe sigurisë.
“Shumëçka ka ndryshuar që nga një vit më parë, por sot kujtojmë se paqja dhe siguria nuk mund të merren si të mirëqenë, por duhet të mbrohen me vigjilencë në çdo kohë. Faleminderit trimave dhe grave me uniformë atë ditë që mbajtën linjën kundër milicisë së dhunshme dhe institucioneve tona demokratike”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka identifikuar shumë dhe ka arrestuar dhjetëra autorë të sulmeve në veri për të cilët tha se duhet të mbajnë përgjegjësi. Ndërkaq ka uruar familjet e të të gjithë ushtarëve të lënduar të KFOR-it dhe shprehu mirënjohje për shërbimin e tyre.
Ndryshe, mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it janë plagosur një vit më parë në Zveçan gjatë protestave të serbëve në kundërshtim të marrjes së detyrave të kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri.