Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), ka bërë të ditur se ky mision është i mandatuar të ndihmojë fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë me qëllim që ato të jenë të qëndrueshme, llogaridhënëse, dhe të munden të garantojnë në mënyrë efektive të drejtat e secilit, pa diskriminim.
Në deklarimin e tyre, EULEX-i ka theksuar se monitorimi është komponentë esenciale e mandatit të tyre.
“Për ushtrimin efektiv të kapacitetit tonë të monitorimit të thuktë, neve na duhet të kemi edhe prezencë fizike në skenën e aktiviteteve që kryhen nga institucionet e Kosovës përgjatë tërë zinxhirit të drejtësisë”, thuhet tutje në reagimin e tyre.
Kjo sipas EULEX-it, nënkupton monitorim në teren si palë e paanshme ndaj qëndrimit dhe veprimeve të autoriteteve të Kosovës, për vlerësimin e përputhshmërisë së tyre me parimet e sundimit të ligjit dhe detyrimet për të drejtat e njeriut, me zotim të qartë kundër çdo forme të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të diskriminimit.
Gjatë kryerjes së aktiviteteve të monitorimit, EULEX-i ka potencuar se respektojnë në tërësi pavarësinë e autoriteteve gjyqësore dhe parimin e mosndërhyrjes, dhe në rast se përmes këtyre aktiviteteve të monitorimit identifikohen mangësi të rënda, “Misioni i adreson ato me autoritetet përgjegjëse relevante”.