Stano për masat e BE’së: Raporti po finalizohet, gjithçka që po ndodh në terren ka ndikim negativ

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se raporti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, që po hartohet rreth asaj nëse Kosova ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për heqjen e masave ndëshkuese ndaj saj e që më pas do t’iu prezantohet shteteve anëtare, është ende duke u finalizuar.

“Raporti është ende duke u finalizuar”, tha shkurt Stano për këtë çështje në konferencën e sotme, raporton Gazeta Express.

Ndërkaq, i pyetur nëse veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e gjashtë njësive të së ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore” të Serbisë në Kosovë po ndikonin raportin e Borrellit, Stano u përgjigj se këto veprime kanë ndikim negativ në deeskalimin e situatës, duke shtuar se kjo situatë ishte edhe arsyeja pse Kosova është ndëshkuar.

“Masat ishin prezantuar si një përgjigje për hapat e njëanshme e pakoordinuara që çuan në më shumë eskalim dhe nuk e ndihmuan deeskalimin. Ato [masat] ishin ndërmarrë për të motivuar autoritetet e Kosovës për të punuar në deeskalim, pra sigurisht që gjithçka që po ndodh në terren dhe që ka ndikim negativ në përpjekjet që çojnë në deeskalim, do të merren parasysh dhe do të përfshihen në raport”.