Gërvalla nga Kanada: Serbia përbën rrezik për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Juglindore

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schëarz, është takuar me homologën e saj në Kanada, Melanie Joly.

“Në shënim të 25-vjetorit të pranimit të refugjatëve nga Kosova dhe 15-vjetorit të krijimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, me qëllim të fuqizimit të miqësisë dhe përparimit të projekteve me interes të përbashkët, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë një vizite zyrtare në Kanada ka zhvilluar takim me Ministren e Punëve të Jashtme, Mélanie Joly.”

Në komunikatën e MPJD’së thuhet se në takim ka qenë edhe Mimoza Kusari- Lila dhe ambasadori i Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu.

“Gjatë këtij takimi, e shoqëruar edhe nga Kryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Kanada, Mimoza Kusari-Lila dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, pasi e falënderoi për mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë Kosovës në çlirimin, rindërtimin  dhe zhvillimin e saj, Ministrja Gërvalla e njoftoi homologen e saj rreth situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë duke theksuar veprimet destabilizuese të Serbisë, e cila sot përbën një rrezik për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Juglindore.”