Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se kanë mbetur edhe dy ditë “në dritaren kushtetuese” për të shkuar vendin në zgjedhje të parakohshme, ose në të kundërtën sipas tij, Qeveria duhet ta çojë mandatin në fund.
Ai ka deklaruar të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se më së miri do të ishte sikur të shpërndahej Kuvendi dhe në shtator të këtij viti të zgjidhej qeveria e re.
“…Sa i përket shpërndarjes së Kuvendit kanë mbetur edhe 2 ditë të dritares kushtetuese që vendit tonë t’i mundësohet që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor ose 7 korrik. Këto dy ditë do t’i japin një epilog, e do të presim deri në momentin e fundit, që vendi të shkojë më zgjedhje të jashtëzakonshme që vjeshta ose shtatori ta zë vendin tonë me një kryeministër të ri që e nxjerr Kosovën nga kriza”, ka thënë Tahiri.