Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, ka thënë se pothuajse 80 për qind e investimeve të drejtpërdrejta të huaja në Kosovë janë të fokusuara në paluajtshmëri.
Ai ka thënë se zbatimi i zhvillimit dhe investimeve të qëndrueshme është diçka e domosdoshme sidomos për shkak të ikjes së trurit.
Sipas tij, Kosova duhet të punojë nga afër me fqinjët e saj. Szunyog apeloi që Kosova të heq sa më shpejt ndalimin e produkteve serbe.
“Kosova dhe partnerët e tjerë në rajon mund të kenë dobi të madhe nga plani i zhvillimit. Për Kosovën dhe Serbinë do të ketë disa kushte shtesë, në mënyrë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve. Në këtë drejtim, lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve paraqitet shumë në planin zhvillimor. Kështu që inkurajojmë Kosovën që ta heqë ndalimin e produkteve serbe sa më shpejtë që është e mundshme”, ka thënë ai.
Për klimën e investimeve, ai ka thënë se nevojitet përkujdesje për investitorët në Kosovë.
Ai ka thënë se BE-ja është duke ndihmuar përmes projekteve IPA dhe përmes programit të tregut të përbashkët.
“Jemi të lumtur të shohim ratifikimin e programit të tregut të përbashkët nga Kuvendi, së bashku me marrëveshjet tjera ndërkombëtare. Programi jep mundësi të jashtëzakonshme për fuqizimin e qeverisë së tregjeve të brendshme, mbështetjen e konkurrenshmërisë dhe mbështetjen e ndërmarrjeve”, ka thënë ai.
Szunyog ka deklaruar se plani i ri për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor do t’i sjellë partnerët, përfshirë Kosovën, më afër tregut të vetëm ekonomik.
Ai ka thënë se shtyllat e këtij plani janë integrimi ekonomik, përmirësimi i tregut ekonomik përmes rregullave dhe standardeve të BE-së, reforma thelbësore për anëtarësim në BE.