Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhgues në anëtare të asocuar ka bërë të ditur kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Driton Hyseni.
“Me vendim të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nga sot, 27 maj 2024, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Avancimi i statusit vjen pas disa viteve të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Nga qershori i vitit 2014, ne përfaqësoheshim si delegacion vëzhgues. Letrat e shumta e përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë por edhe të akterëve tjerë politik në Beograd nuk ja dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit. Ju përcjell urimet më të përzemërta nga Sofje të Bullgarisë. I priftë e mbara Kosovës tonë!”, ka shkruar në Facebook, Driton Hyseni, kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.