Inaugurohet objekti i Ambasadës së Kosovës në Washington

Është inauguruar objekti i Ambasadës së Kosovës në Washington.

Në ceremoni mori pjesë edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

O’Brien deklaroi se SHBA-ja, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një mik dhe partner i përkushtuar për Kosovën.

Ai tha se vendosja e ambasadës pranë vendit ku kishte filluar karrierën e saj, do ta gëzonte pa masë ish-sekretaren e shtetit, Madeleine Albright, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, transmeton Klankosova.tv

“Zemra e saj do të shpërthente nga gëzimi kur të shihte kështu Kosovën, për të cilën gjithmonë thoshte se ishte gjëja për të cilën ishte më së shumti krenare”, citohet të ketë thënë O’Brien.

Ndërkaq, kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla, ka thënë se inaugurimi i kësaj ambasade është një mesazh i fuqishëm, duke shtuar se Kosova është shteti më pro amerikan në botë.

“Ky angazhim i miqve tanë shpëtoi më shumë se 100,000 jetë njerëzish në Kosovë dhe solli një të ardhme të ndryshme për të gjithë rajonin tonë. Kosova është shteti më pro amerikan në botë dhe prandaj kjo ambasadë që po inaugurojmë sot është jo vetëm një objekt, por një mesazh i fuqishëm”, deklaroi ajo.