Ende nuk ka asnjë marrëveshje mes sindikalistëve dhe Qeverisë, ndërkohë që SBASHK-u pas takimeve konsultative me kryetarët e niveleve komunale sindikale dhe të universiteteve, sot ka bërë të ditur se greva e nisur në arsim më 25 gusht do të vazhdojë.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj për Indeksonline thotë se kurdo që të ketë marrëveshje, do të mbyllet para mediave.
“Nuk ka asnjë marrëveshje. Greva është shpallur nga BSPK para medieve dhe përfundimi i saj kurdo që do të ketë marrëveshje do të mbyllet në prani të medieve”, thotë ai.
Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të nesër t’u kthehen shkollave për mësim.
Thirrja e saj vije pasi nga SBASHK-u njoftuan për vazhdimin e grevës.
Nagavci thotë se SBASHK-u po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë, ka dështuar dhe refuzuar edhe rolin ndërmjetësues të Presidentes e tash së fundi edhe të Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj bën thirrje që të dy palët të gjejnë zgjidhje për të dal nga kjo situatë.
Avokati i Popullit konstaton se në situatën e krijuar e drejta për arsim si e drejtë kushtetuese nuk është duke u respektuar, se fëmijëve po ju cenohet kjo e drejtë dhe janë duke u privuar nga e drejta për edukim dhe arsimim, e kjo do të ketë pasoja të rënda për fëmijët dhe për vendin./Indeksonline/