Osmani kujton Masakrën e Vushtrrisë: Regjimi gjenocidal serb tentoi t’i shfarosë shqiptarët

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka kujtuar Masakrën në qytetin e Vushtrrisë.

Osmani tha se 25 vjet më parë, regjimi gjenocidal i Serbisë tentoi t`i shfarosë shqiptarët.

“Pasi që dëboi banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, 68 prej tyre, në mesin e të cilëve fëmijë e të moshuar, i mbajti peng në shtëpinë e Kahriman Pasomës dhe pas torturave mizore i vranë. Banorë të tjerë, regjimi kriminal serb i tuboi në sallën e sportit dhe në burgun e Smrekonicës, ku pas torturave dhe plaçkitjes i dëboi dhunshëm për në Shqipëri”, tha Osmani.

Shefja e shtetit theksoi se Serbia u mundua t’i fshehte gjurmët e krimit.

“Gjurmët e krimit u përpoqën t`i fshehin, teksa trupat e shumicës së të vrarëve u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë. Drejtësia për viktimat e masakrës së Vushtrrisë, sikurse edhe për të gjitha viktimat e masakrave të tjera në gjithë Kosovën, është e domosdoshme dhe përkushtim i vazhdueshëm. Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Vushtrrisë dhe të gjithë të rënët për liri!”, theksoi ajo.