Zëvendësndihmësja e sekretarit amerikan të Shtetit në Byronë për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick, tha se është e rëndësishme që Kosova të bashkëpunojë me partnerët e saj për të forcuar kandidaturën për anëtarësim në të gjitha institucionet euroatlantike, ashtu si edhe në Këshillin e Evropës.
Chulick i bëri komentet të martën, në një takim me një grup gazetarësh në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.
Ajo përsëriti se vizion i SHBA-së për Kosovën është që ajo të jetë pjesë e institucioneve euroatlantike.
”Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’i dëgjojë këshillat e partnerëve të saj më të afërt, në mënyrë që të garantojë një rezultat pozitiv kur del në një votim”, tha Chulick.
Gjatë vizitës në Kosovë, Chulick u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Ajo tha se u ka shprehur atyre disa shqetësime të partnerëve evropianë në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon përdorimin e dinarit serb.
”Kosova duhet të vazhdojë të punojë në këto çështje, t’i adresojë ato dhe të ecë sërish përpara”, tha zyrtarja amerikane.
”Duke i ditur edhe përgjegjësitë që i ka Banka Qendrore e Kosovës, ne vazhdimisht i kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën e zbatimit [të rregullores]. Nuk kemi ndjerë se ajo e ka marrë në konsideratë mënyrën se si do t’i ndikojë komunitetet, sidomos komunitetin serb. Ndaj, jemi duke e vëzhguar situatën dhe jemi të shqetësuar”, shtoi Chulick.
Kosova është nën presion nga partnerët ndëkombëtarë për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të dakorduar me Serbinë qysh në vitin 2013, si dhe për të pezulluar rregulloren e BQK-së që e bën euron valutë të vetme për pagesa me para të gatshme.
Ndërkombëtarët kërkojnë më shumë kohë derisa komuniteti serb të përshtatet me praktikën e re, pasi ai, prej vitesh, ka pranuar pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia.
“Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet më shumë me komunitetet”
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i pranishëm gjithashtu në takimin me gazetarët, shprehu zhgënjimin e tij me aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, gjatë të cilit u mbyllën disa institucione financiare serbe.
Hovenier tha se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe, sipas tij, i përshkallëzon tensionet.
Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës angazhim konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar “si kanalin e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.