Kryetari i Lëvizjes qytetare në Serbi, ‘Odgovor’ Boban Bogdanoviq, ka nisur një fushatë për krimet e kryera të Serbisë ndaj popullsisë civile në Kosovë.
Ai ka thënë se zyrtarisht ka ngritur padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, veçanërisht për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.
Për mbështetje ndaj Kosovës, Bogdanoviq thotë se vitin e kaluar është intervistuar nga BIA serbe.
Në një lidhje direkte në Klan Kosova, ai shprehet se në nëntor ka ikur nga Serbia dhe ka kërkuar azil jashtë shtetit të tij, për shkak se i është rrezikuar jeta pas të gjitha aktiviteteve politike që ishin të drejtuara drejt njohjes përfundimtare të Republikës së Kosovës dhe krijimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kam shpalosur planin të cilin Aleksandar Vulini dhe funksionarët e lartë të shërbimeve sekrete ruse ishin dakorduar për sulmin e dytë që do të duhej të bëhej nga Milan Radoiçiqi. Jam i bindur se pas kësaj, pasi kam alarmuar bashkësinë ndërkombëtare dhe publikun në Kosovë shpresoj se nuk do të ndodh ky plan, por më të vërtetë nuk mund të përjashtohet sepse Vuçiqi po humb durimin dhe besoj se shumë shpejt ka për të pasuar diçka shumë e keqe se ç’ka ndodhur në Banjska vitin e kaluar”, deklaroi Bogdanoviq.
Tutje ai shtoi se ShBA dhe bashkësia ndërkombëtare në të vërtetë nuk kanë bërë fare asgjë që terroristi i dëshmuar Milan Radoiçiq t’i dorëzohet gjyqësorit të Kosovës ose institucioneve ndërkombëtare.
“Ai nuk do të dorëzohet dhe do të vazhdojë të jetojë në Serbi. Dëshmitë që i ka Radojiçiqi për aktivitetet dhe veprimet kriminale të presidentit Aleksandar Vuçiq janë aq të shumta, sa më shumë e mban në grusht Radoiçiqi Vuçiqin se e kundërta”.
“Treshja që e ka organizuar Banjskën janë Vuçiqi, Vulini dhe Vojsilloviqi. Ekzekutues ka qenë Radoiçiqi”, përfundoi Bogdanoviqi.