Gazeta zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” ka shkruar për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe shpresat e mëdha të kosovarëve që Kosova do të ishte anëtarja më e re në këtë organizatë.
Megjithatë siç raporton NZZ, qytetarët e Kosovës më kot kanë shpresuar se së shpejti do të ndodhte një gjë e tillë, meqë aleatët perëndimor të Kosovës duan që fillimisht të shohin punën paraprake. Sipas NZZ, një qëndrim i tillë i aleatëve është “tregues i humbjes së besimit ndaj Kosovës”.
“Në Prishtinë njerëzit më kot shpresonin se së shpejti do të anëtarësoheshin në Këshillin e Evropës. Aleatët perëndimorë duan të shohin fillimisht punën paraprake. Kjo është tregues i humbjes së besimit ndaj Kosovës”, shkruan Neue Zurcher Zeitung.
NZZ në këtë artikull përmend kushtin fillestar të aleatëve që Kosova të zbatonte vendimin për tokat e Manastirit të Deçanit dhe pastaj kushtëzimin e bërë nga Gjermania, Franca e Italia që Kosova të bëjë hapa të prekshëm drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
E gjithë kjo, sipas NZZ, është një tregues se Perëndimi e ka humbur besimin tek Kosova dhe se ministritë e jashtme të këtyre vendeve janë të bindura se kryeministri Albin Kurti lëviz vetëm nën presion të madh.
“Episodi është tregues i humbjes së besimit të Perëndimit në Prishtinë. Ministritë e Jashtme janë të bindura se Albin Kurti lëviz vetëm nën presion të madh. Asociacioni i komunave në fakt nuk ka lidhje me Këshillin e Evropës, por është objekt i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Perëndimi definitivisht dëshiron të bëjë përparim atje”, shkruan gazeta zvicerane./GazetaExpress/