Ben-Meir: Nëse Kosova dëshiron të përparojë, Kurti duhet të përmbushë kërkesat e BE-së

Analisti politik, Alon Ben-Meir vlerësoi se nëse Kosova dëshiron të avancojë drejt BE-së, duhet të bëhet përparim në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke theksuar se kryeministri i Kosovës duhet t’i përmbahet kërkesave të Brukselit për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Ben-Meir ka theksuar në rrjetin social “X” se vazhdimisht ka treguar hapat që duhet të ndërmarrë Kosova në drejtim të progresit drejt BE-së.

“Unë kam thënë shumë herë në të kaluarën se nëse Kosova dëshiron përfundimisht të anëtarësohet në BE, duhet të ketë përparim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sado gradual të jetë. Kryeministri Kurti duhet t’i përmbahet kërkesave të BE-së për këtë çështje të veçantë”, tha Ben-Meir.

Ai shtoi se nuk është çudi që bashkësia ndërkombëtare kërkon përparim drejt formimit të Asociacionit si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.