Nga “një hap larg” në “nuk dihet se kur”. Kështu devijoi rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës në një periudhë prej vetëm tridhjetë ditësh.
Kur më 16 prill Asambleja Parlamentare e kësaj organizate votoi pro Kosovës, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se “jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg” anëtarësimit në organizatën lidere në kontinent për të drejtat e njeriut.
Një muaj më vonë, kur Komiteti i Ministrave të saj do të merrte vendimin përfundimtar për Kosovën, ajo nuk u fut fare në rend dite.
Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, tha se këtë e shkaktoi qëndrimi i disa vendeve që Kosova ta pranojë fillimisht draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta çojë atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.
Qeveria e Kosovës, fillimisht, e refuzoi këtë kusht, por në një përpjekje të minutave të fundit për ta ndryshuar situatën, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se ka njoftuar Këshillin e Evropës përmes një letre, se Kosova po e përgatit draft-statutin, për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të majit.
“Ne e kemi shprehur me shumë seriozitet vullnetin tonë për të kontribuuar në mënyrë konstruktive. Ky hap nuk ishte i lehtë për Qeverinë e Kosovës. Ne e kemi shprehur vullnetin tonë dhe presim se cili do të jetë reagimi”, u tha Gërvalla gazetarëve.
Dhe, reagimi nuk ishte aq pozitiv. Ambasada gjermane në Prishtinë, duke u thirrur edhe në vendet e tjera të Quint-it – SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Italinë – tha se kërkesë e tyre ishte dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Jashtëm.
“Kosova tani duhet ta bëjë punën e vështirë. Kjo nuk ka ndodhur ende”.
Në të njëjtën ditë, Gjermania, Franca dhe Italia bënë të ditur se, më 15 maj, i kanë dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën kanë shprehur mbështetje për një draft-statut të diplomatëve perëndimorë.
Qeveria e Kosovës tha se është duke hartuar një draft-statut të vetin, të frymëzuar nga një version i një organizate gjermane.
Asociacioni që përmendet, do të koordinonte mes tjerash punën në arsim, kujdes shëndetësor dhe ekonomi në komunat me shumicë serbe të Kosovës.
Për themelimin e tij, Kosova dhe Serbia ranë dakord qysh në vitin 2013. Marrëveshja u miratua edhe në Kuvendin e Kosovës, por Gjykata Kushtetuese konstatoi më pas se ajo ishte jokushtetuese, meqë nuk përfshinte edhe etni të tjera.
Pavarësisht garancive nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Kosova ka frikë tani se një asociacion i tillë do të ndikonte në funksionimin e shtetit.
Për t’u pranuar në Këshillin e Evropës, në favor të vendit aplikues duhet të jenë së paku dy të tretat e votave në Komitetin e Ministrave.
Nga 46 vende anëtare sa ka organizata, Kosovën e kanë njohur 34.
Për të siguruar anëtarësinë, në favor të saj do të duhej të votonin ministrat e së paku 31 vendeve.
Tash për tash, Kosova mbetet në vendndalim, derisa vendi kryesues i Këshillit të Evropës ta nxjerrë në agjendën e Komitetit të Ministrave – qoftë në mbledhje të jashtëzakonshme, qoftë në cilëndo mbledhje të rregullt në vitet e ardhshme. Në parim, procedura në Asamblenë Parlamentare nuk përsëritet.
Kosova ka vite që nuk ka arritur të bëhet pjesë e ndonjë organizate të madhe ndërkombëtare dhe këtu ka luajtur rol edhe lobimi kundër i Serbisë.
Një nga dështimet e fundit ndodhi në vitin 2018, kur agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol, e refuzoi pranimin e Kosovës për herë të tretë.
Asociacioni dhe njohja de facto e Kosovës janë pjesë të Marrëveshjes së Ohrit mes dy vendeve, e arritur vitin e kaluar.
Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo duhet të zbatohet, edhe pse nuk është nënshkruar.
Muajin e kaluar, BE-ja e kushtëzoi zyrtarisht integrimin e Serbisë në këtë bllok me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa ndaj Kosovës mban në fuqi masa ndëshkuese, të cilat u ndërmorën qysh vitin e kaluar, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri, raporton Radio Evropa e Lirë.