Presidenca: Qeveria nuk është konsultuar me presidenten Osmani për letrën që e dërgoi në KiE

Presidenca ka dalë me një reagim ku thuhet se letra e djeshme e Qeverisë së Kosovës dërguar në KIE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me presidenten Vjosa Osmani.

Në deklaratën që ka lëshuar këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina, thuhet se çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione.

“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën.

Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione. Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi.

Rrjedhimisht, Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë“.

Ndryshe, ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha sot se Kosova është në fazën e zotimit për hartimin e një draft-statuti për themelimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e jo në një fazë të avancuar.