Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e tij që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ai ka pasur edhe një porosi për opozitën që të jenë gati për një proces të tillë, në të kundërtën ka thënë se do të përfundojë mandati.
“Opozita duhet të bëhet gati. Ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat shkon mandati”, ka thënë Kurti në ceremoninë e hapjes së edicionit të 23-të të Panairit Ndërkombëtarë EXPOKOS.
Nga partitë opozitare tani për tani vetëm PDK është ajo që po dëshiron zgjedhje të parakohshme, madje edhe i shkuan në takim Kurtit. Veprim të cilin e kritikuan partitë tjera opozitare.
Krasniqi, i cili ishte i vetmi nga opozita që iu përgjigj ftesës së Kurtit për të diskutuar agjendën legjislative, tha se zgjedhjet janë të domosdoshme.
Ai të hënën tha se PDK-ja është e gatshme të gjejë dakordim me të gjitha partitë parlamentare për të shpërndarë Kuvendin “përmes një mocioni të përbashkët”.
Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë tha përmes një komunikate për media, të lëshuar më 14 maj, se nuk do të bëhet pjesë e asnjë “marrëveshjeje të pre-aranzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave”.
Dorëheqjen apo shkarkimin e kryeministrit Kurti e kërkoi edhe partia tjetër në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Data për mbajtjen e zgjedhjeve caktohet nga presidentja e vendit, pas konsultimeve me partitë politike. Kjo ndodh pasi të shpërndahet Kuvendi.
Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar.