Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri thotë se rezultatet e regjistrimit të popullsisë do të jenë “shokuese”.
Haziri tha të hënën në Frontal në T7 se shumë qytetarë janë larguar nga vendi dhe se kryeministri Albin Kurti “e ka shkaktu këtë dëshpërim të madh”.
“Sot është alarmante largimi i njerëzve. Regjistrimi i popullatës ka me qenë shokuese. 1.4 nga 1.8. Tani pritni kur del Qeveria thotë ‘kjo është lëvizje demografike në krejt regjionin, kroatët po shkojnë brenda në Evropë, evropianët po shkojnë në Amerikë e Kanada’. Po, mund të ketë lëvizje, por shqiptarët e Kosovës për shkak të shtetit më të mirë po lypin atdhe më të mirë”, tha Haziri.
“Albin Kurti është i pari që e ka shkaktu këtë dëshpërim të madh. Përpara ka pasë lëvizje për jetë më të mirë, për punë më të mirë, për kushte më të mira. Ka pasë edhe dëshpërime që janë përcjellë në faza të ndryshme, por kjo që është duke ndodhë sot është urgjente, që duhet me u ulë Qeveria e opozita me e diskutu, çka duhet të ndërmarrim ne brenda për me e përmirësu, pa i përmend zgjedhjet”, shtoi nënkryetari i LDK-së.
Ai tha se nuk duhet të flitet vetëm për veriun e Kosovës sepse “veriu është problem institucional, është problem i shtetit, nuk është problem i partive politike”.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri më tani në Kosovë janë regjistruar mbi 1 milion e 420 mijë banorë.
Procesi i regjistrimit të popullsisë përfundon më të premten.