Ish- komandanti i UÇK-së, Nasim Haradinaj sot është futur në sallë që t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik, si rezultat i përkeqësimit të shëndetit pas lirimit nga burgu i Hagës.
Edhe pse Nasim Haradinaj ka shtetësinë suedeze dhe ka familjen e ngushtë dhe të gjërë që jetojnë atje, atij i është pamundësuar nga Dhomat e Specializuara që të operohet në Suedi, apo në cilindo shtet jashtë vendit, duke mos i dhënë leje atij që ta lëshojë Kosovën.
Haradinajt muaj më parë i ishte konfirmuar data e operimit në Suedi, por një gjë e tillë i është pamundësuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës, e cila nuk e ka lejuar atë që të udhëtojë jashtë Kosovës deri në përfundimin e dënimit kusht, e që skadon në dhjetor të këtij viti, por gjendja e tij shëndetësore e përkeqësuar nuk ka mundur të pres më gjatë, andaj detyrimisht ai sot po i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik në Prishtinë.
GazetaDemos mëson nga burimet e saj se Haradinajt i ishte konfirmuar edhe nga Haga se me lajmërim paraprak do t’i mundësohej një gjë e tillë, por edhe përkundër kërkesës së paraqitur me kohë nga avokati i tij që Haradinaj të udhëtojë për shërim në Suedi, Dhomat e Specializuara të Hagës ia kanë refuzuar një kërkesë të tillë.
Haradinaj sot i detyruar dhe në pamundësi që të shkojë për shërim në Suedi, apo në ndonjë shtet tjetër jashtë Kosovës, po i nënshtrohet operacionit në Prishtinë.
Demos ka tentuar që të marrë një prononcim nga familjarët e Nasim Haradinajt, lidhur me këto informacione, por që ata kanë refuzuar të flasin, ngase siç kanë thënë ata e kanë të ndaluar që të japin deklarata, që qoftë në mënyrë direkte apo indirekte japin informacione që lidhen në një formë ose tjetrën me Dhomat e Specializuara të Hagës.
Kujtojmë se Nasim Haradinaj u lirua me kusht pak muaj më parë nga Dhomat e Specializuara të Hagës, që e akuzonin për vënien në dispozicion të mediave të mbi 3 mijë dokumenteve gjatë një konference në selinë e OVL – UÇK-së, dokumente këto që në mënyrë anonime ishin lënë në hyrje të selisë së OVL-UÇK-së në Prishtinë.