Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se ia ka bërë një kërkesë me shkrim kryeministri Albin Kurti që të zgjatet afati për regjistrimin e popullsisë pasi do të përfundojë për një javë.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se këtë kërkesë e ka bërë me qëllim të përmbushjes së qëllimit të vet procesit, rëndësisë së tij, nga situata e deritashme e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Komunën e Drenasit.
“Para kësaj, po ashtu, më 2 nëntor, kam ngritur shqetësimin lidhur me vonesat rreth procesit të rekrutimit, paraqitjes së vështirësive me aplikantët për regjistrues, për kohën e trajnimit dhe informimit. Nga rrjedha e deritashme e këtij procesi në komunën e Drenasit, me qëllim të përmbushjes së qëllimit të vet procesit, rëndësisë së tij, nga situata e deritashme e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, në komunën e Drenasit, kërkoj të zgjatet procesi i regjistrimit edhe për dy javë”.
“Këtë kërkesë me shkrim ia kam bërë kryeministrit Kurti dhe drejtorit të ASK-së, Avni Kastratit. Ftoj qytetarët e komunës së Drenasit të regjistrohen, është obligim ligjor e moral, kështu e vlerësoni edhe vendbanimin – komunën Tuaj, edhe Kosovën!”, ka thënë Lladrovci.