Zgjedhjet e parakohshme, Hamza thotë se ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën

Kandidati për Kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme janë një lajm shumë i mirë për Kosovën.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Hamza komentoi edhe takimin e mbrëmshëm të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit me Albin Kurtin, duke potencuar se nuk duhet të shihet si diçka e jashtëzakonshme.

“Përkundrazi, takime të tilla unë pres të shpeshtohen në vendin tonë në të ardhmen, në mes të gjithë spektrit politik, sepse ky ka qenë dhe do të jete modeli im i qeverisjes. Bashkëpunimi dhe dialogu në interes të qytetarëve dhe shtetit – është mënyra se si unë e shoh funksionimin e përgjegjshëm mes akterëve politik”, ka shkruar Hamza.

Ai ndër tjerash, ka theksuar se është shumë e rëndësishme që të flitet për çështje të cilat i preokupojnë qytetarët e Kosovës.