Weber: Mendoj që Kurti është këshilluar mirë që të mos dorëzohet dhe ta përcjellë draft-statutin në Kushtetuese

Eksperti i Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Politikat e Demokratizimit në Berlin të Gjermanisë, Bodo Weber, në një intervistë për Gazetën Sinjali ka deklaruar se nuk pret që çështja e anëtarësimit të Kosovës të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili do të mblidhet më 16 dhe 17 maj në Strasburg.

Weber ka deklaruar se kësisoj do të pa parandalohej një votë negative, votë e pasuksesshme për Kosovën.

Sipas tij, kjo është bërë e qartë pasi shtetet perëndimore i vendosën Kosovës një kusht për ndërmarrjen e hapave konkretë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tutje ka shtuar se optimizmi i demonstruar i Kosovës për këtë çështje është bazuar tërësisht në procesin formal të aplikimit dhe kushtëzimit, raporton Sinjali.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit, Albin Kurti, i cili hodhi poshtë këtë kusht, Weber tha se Kurti ka të drejtë formalisht, por i mungon pika politike në këtë çështje.

Ai shtoi se ka dy arsye potenciale për dështimin e anëtarësimit të Kosovës, ose qeveria sipas tij ka qenë naive duke mos kuptuar pjesën politike të “kushtëzimit”, ose ata e kanë kuptuar, por kanë menduar se mund t’i tejkalojnë kryeqytetet evropiane dhe t’i shtyjnë drejt mbështetjes.

Weber tha se nuk beson se kryeministri Kurti është naiv.

A prisni që çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës të jetë në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave më 16 dhe 17 maj?

Weber: Fatkeqësisht jo. Duket se është përfundimisht e qartë pas zhvillimeve dhe deklaratave të aktorëve kryesorë në ditët e fundit se aleatët kryesorë evropianë të Kosovës, d.m.th. Franca, Italia dhe Gjermania kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që draft-statuti i Asociacionit i QUINT-it të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe se Qeveria Kurti nuk është e përgatitur për ta bërë këtë. Si rezultat, aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk do të vihet në rend dite, për të shmangur një votim të dështuar, që do të ishte një siklet edhe më i madh për të gjitha palët. Kësisoj, derisa nuk ka ndonjë përparim të minutës së fundit në dy-tre ditët e ardhshme, thjesht mendoj që nuk do të ndodhë.

Nëse kjo çështje futet në rend dite, a mendoni se do të votohet anëtarësimi i Kosovës?

Weber: Epo, nëse aplikimi i Kosovës për anëtarësim do të vihej në rend dite vetëm në rast se Kosova përmbush kushtet e këtyre kryeqyteteve evropiane, në këtë rast po, do të kishte një votim të suksesshëm.