Policia aktivizon dronin në Gjakovë, brenda dy ditësh shqiptohen mbi 500 gjoba

Policia e Trafiku në Rajonin e Gjakovës është angazhuar në realizim të planit të veprimit të ashtuquajtur “Droni (tejkalimet e palejuara dhe tejkalimet e kolonës së mjeteve)”.

Qëllimi i planit ka qenë identifikimi i kundërvajtësve në trafikun rrugor, posaçërisht identifikimi i atyre që kanë bërë tejkalime me mjetet e tyre në vende të ndaluara me vijë të plotë dhe tejkalim të kolonës së mjeteve, duke rrezikuar pjesëmarrësit në trafik.

“Ky plan veprimi është realizuar në disa rrugë në rajonin e Gjakovës, ku nga data 10.05.2024 e deri me datën 12.05.2024 janë identifikuar pesëqind e njëmbëdhjetë (511) kundërvajtës të cilëve ju janë shqiptuar gjoba, ndërsa janë konfiskuar gjashtëdhjetë e tre (63) patentë shoferi si masë mbrojtëse.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përmes aktiviteteve të ndryshme policore do vazhdon me realizimin e  planeve operative me qëllim parandalimin e aksidenteve, andaj edhe apelojmë tek të gjithë shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor në mënyrë që të jenë kontribuues në rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor.”