Serbia po shihet si faktor destabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Deputetë dhe ish-deputetë të Kuvendit te Serbisë thonë se ajo nuk ka hequr dorë nga Kosova dhe Bosnja Hercegovina.
Madje deputeti shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi, thotë se Serbia po pret që të ndryshojnë rrethanat gjeopolitike për ta sulmuar Kosovën.
Sipas Kamberit, aleanca e Serbisë me Kinën e Rusinë është sinjal i qartë për botën perëndimore.
“Ata veçse e kanë thënë se po presin një moment të përshtatshëm gjeopolitik kur ata do të marshojnë sërish në Kosovë. Pra kemi të bëjmë me një politikë destabilizuese dhe luftënxitëse qe po mbështetet nga dy fuqi botërore siç janë Kina dhe Rusia. Me këto dy fuqi, Serbia do të synoj ta destabilizoj Kosovën veçanërisht ne pjesën veriore të vendit”, tha Kamberi.
Edhe politikani tjetër, Aleksandar Olenik, nuk e përjashton mundësinë që një sulm i ngjashëm si në Banjska mund të ndodhë sërish.
Megjithatë sipas tij situata e sigurisë është më e ndjeshme në Bosnje Hercegovinë sesa në Kosovë.
“Serbia nuk guxon të hap luftë me Kosovën ose me Bosnjën sepse do të nënkuptonte direkt konflikt me NATO-n dhe Serbia e di shumë mirë se si përfundoi konflikti i fundit me aleancën veri-atlantike. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që Serbia të provoj të krijoj një konflikt të vogël siç ishte rasti në Banjska. Por unë e shoh situatën e sigurisë shumë më të ndjeshme ne Bosnje Hercegovinë sesa në Kosovë. Në këto momente Rusisë do t’i konvenonte jashtëzakonisht shumë një konflikt ne rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Olenik
Kujtojmë që përgjatë viteve të fundit, Serbia ka rritur dukshëm investimet ushtarake.