Kryetari i Forumit Civil Demokratik (DGF), Zoran Vuletiq, në një intervistë për platformën “The Geopost” të dielën, duke u lidhur me deklaratën e avokatit serb, Sead Spahoviç, deklaroi se politikanët në Serbi e kanë të qartë se shteti serb “nuk ka ushtri që do të luftonte për Kosovën” dhe arsye shtesë është “fakti i përhershëm” që “Serbia i humbi të gjitha luftërat e viteve 1990”.
“Unë vetëm do të shtoja se arsyeja shtesë për këtë është sepse është e qartë për të gjithë në Serbi se Serbia i humbi të gjitha luftërat e viteve 1990 dhe veçanërisht për të gjithë politikanët është njëlloj e qartë se Serbia e humbi Kosovën në luftën e vitit 1999 dhe se ky është një fakt i përhershëm”.
“Dhe ne kemi një dyfytyrësi politike në të dyja anët [pushtet dhe opozitë] që gënjejnë dhe manipulojnë popullin serb, në radhë të parë për t’i mbajtur peng, sikurse komunitetin serb në Kosovë, ashtu edhe qytetarët në Serbi”, theksoi ai, duke shtuar se elita politike në Serbi përbëhet kryesisht nga njerëz që përjetuan disfatë politike, ekonomike, ushtarake dhe morale në vitet ’90.