Shkruan: Islam Spahija
Marrëdhëniet Kosovë–BE kanë nevojë për ndryshime strategjike, që duhet të pranohen, shtyhen përpara nga elitat politike dhe shoqëria. Kjo është përcaktuese për të ardhmën e Kosovës në kohën kur lufta në Ukrainë dhe paralajmërimi për ardhjen në pushtet të Donald Trumpit janë shëndërruar në katalizator të përshpejtimit edhe të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Këtë frymë të kohës duhet përqafuar menjëherë. Entuziazmi për zgjerim të BE-së më shumë rrjedh nga vlerësimi i frikës së shtrirjes së inlfuencës ruse dhe përhapjes së luftës. Moska është duke rritur në masë të madhe rolin dhe ndikimin, instrumentalizimin e konflikteve rajonale për interesa të saja në pjesën periferike të Evropës Juglindore.
Ballkani Përëndimor përbën dicka më pak se 1 përqind të PBB-së së BE-së, por historikisht ka ndodhur se mund të bëhet edhe fuçi baroti. Serbia është vendi kryesor në Ballkan ku kryqzohen më shumë se diku tjetër konfliktit e interesave në mes Perëndimit dhe Rusisë, dhe tash së fundit edhe duke u shndërruar në një satelit të dytë të Kinës në Evropë, pas Hungarisë. Kjo mega-tendencë e rrezikshme për destabilizimin e Evropës, sipas historianit britanik, Dan Jones, na përkujton faktin se besimi në paqë të përhershme dhe prosperitetin në rritje ishte një “anomali historike në Evropën” e deritanishme sepse për sa kohë Putini është në pushtet : “Na presin kohë më brutale dhe agresive. »
Një thirrje zgjimi: «Një Zeitwende” (Pikë kthese) kosovare!
Në valën e rrëmujes dhe shthurrjes me dhunë ushtarake të rendit paqësor të pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, dhe mobilizimit të të gjitha shteteve, është koha e ndryshimit dhe zgjimit të madh edhe të Kosovës drejt Evropës. Politikanët e të gjitha taborreve duhet të zgjohen që Kosova të përparojë. Jemi në një moment që sipas logjikës politike gjermane do të quhej “Ora e historisë» së Kosovës. Në rastin tonë do të duhet të tingëllon si ora e zgjimit historik nga amullia, lodhja, paqartësia dhe paaftësia për tu unifikuar rreth përcaktimit të interesave strategjike, kur peisazhi luftës ka kapluar një pjesë të kontinenti evropian.
Ne jemi në një vijë kufitare që ndanë dy epoka. Në pikën e lamtumirës në prag të fundit të së shkuarës dhe fillimit të së ardhmës. Në kontekstin gjerman, kancelari Schollz e quajti një moment të tillë «Zeitwende-Pika e Kthesës». Ky formulim paralajmëronte fundin e iluzionit të paqes në Evropë. Ajo është edhe pranimi i realitetit të hidhur se Rusia është armiku aktual i Evropës sepse agresioni rus po shkatërron me me lfutë arkitekturën e sigurisë evropiane.Prandaj, siguria është mbi të gjitha,tha Schollz.
Pra, nuk jemi vetem ne, në fund të iluzioneve të rreme kolektive dhe në fillim të një “pikë kthese”. Në realitet, ne jemi në një situate pritjeje përpara portave evropiane të Keshillit të Evropes, dhe fillimi të një epoke të re të integrimit evropian, të cilën askush nuk mund ta ndalë sepse historia do ta dënojë.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare shtetet e ndryshme ndjehen të sigurta vetëm si anëtarë të aleancave të mëdha, ndërsa shteti Kosoves, i cili u lind, u zhvillua dhe madje po mbrohet edhe ushtarakisht nga aleanca përëndimore NATO, është para një sprove egzistenciale për shkak të hezitimit të marrjes së vendimit të bazuar në një kompromis që do të ndihmonte formësimin, etabilimin më të plote të sovranitetit të Kosovës duke u bërë anëtare e barabartë e Këshillit të Evropës.
Paradoksalisht, Serbia dhe Kosova në çështjën e anëtarësimit të Kosovë në Këshillin e Evropës kanë gjetur emëruesin e përbashkët: Serbia me çdo kusht e kundërshton anëtarësimin, ndërsa Kosova, nuk pranon asnjë kusht për anëtarësim. Një gjë dihet. Hyrja dhe mbetja në aleanca dhe institucione ndërkombëtare ka kushte.
Aq më tepër që, në kohë mjegulle të luftës në Evropë, kur mungojnë zgjidhje të lehta, anëtarësimi në struktura euroatlantike, përkatësisht, pranimi në Këshillin e Evropës do të ishte për Kosovën, një “dhuratë e orës së historisë”, siç do të shprehej Helmut Kohl për bashkimin gjerman.
Status quo në mes BE-së dhe Kosovës nuk mund te ruhet.
BE duhet t’i heq masat izoluese, ndërsa Kosova në një dialog të brendshëm, duhet të relfektojë, të pranojë se ka bërë gabim adoleshent diplomatik duke kontestuar kufirin me Malin e Zi, një aleat që e ndihmoi indirekt Kosovën përmes ndarjes dhe përplasjes me “vëllain e madh” (Serbinë).
Kosova duhet të pranoj se bëri gabim duke shtyrë çështjen e pronësisë së Manastirit të Decanit për dekada, dhe kontriboi shtyrjes se liberalizimit te vizave.
Kosova do të tregohej e pjekur dhe dinjitoze në rrugë drejt BE-së nëse do të shënojë një kthesë të madhe.
Kosova duhet të dalë përtej vetvetes duke u thënë “Po” kushteve për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe hap portën madhe drejt BE-së. Ne nuk mundemi të luftojmë me miq sepse nuk e duam izolimin, bunkerizimin si alternativë.
Politika dhe shoqëria kosovare vazhdon të përcillet me deficite të medha strategjike, por ajo nuk mund ta projektoj fatin e saj duke mbetur në periferi të Perëndimit dhe Lindjes.
Kosovës i duhet një platformë e politikës së jashtme dhe sigurisë që mbi të gjitha ka prioritet rrugën e integrimit evropian. Evropa si projekt nga lartë, në Kosovë vazhdon të mbetet në mëshirën paraqitjeve skematike rituale të politikanëve, ndërsa Evropa nga poshtë, mjerisht po relaizohet me ikjen e njerzëve në drejtim të vendeve të BE-së, kryesisht Gjermanisë.
Politika në Kosovë, uroj të ndahet nga patriotizmi folklorik i modelit të shekullit 19-të, që mban gjallë industrinë e popullizmit të disa qarqeve të politikanëve të pozitës dhe opozitës që te kaluarën ende e përdorin si pushtet shpirtëror mbi turmën duke shmangur dialogun kritik për vetveten dhe të ardhmën e perspektivës evropiane të vendit.
Optimistët thonë se koha shëron plagët e së kaluarës, por politika shpejton proceset kohore. Politika nuk është vetëm arti i së mundshmës, por gjithashtu edhe arti i së domosdoshmës. Anëtaresimi në Këshill të Evropës është prioritet i momentumit historik, i nevojës dhe domosdoshmërisë për të krijuar edhe një shkallë të sigurisë më të lartë të sovranitetit të jashtëm shtetëror të Kosovës.
Për të shpejtuar këtë proces, kërkohet një ZeitWende kosovare.