Konfirmohet nga Anton Quni: Albin Kurti ka ftuar në darkë pune liderët e opozitës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare (LDK, PDK dhe AAK) për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, tha se LDK ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim, pasi që partia e tij nuk e sheh të arsyeshme që për një temë të tillë të realizohet takim.

“Para pak ore u njoftuam nga kryetari përmes mjeteve të komunikimit që i është dërguar një letër nga kryeministri Kurti për një takim të përbashkët për t’u konsultuar për agjendën legjislative të sesionit pranveror. Takimi do të mbahet të hënën. Ftesa është e përgjithshme.

Është e mundur që ftesa të bëhet me ndonjë pretekst dhe të kalohet edhe në tema të tjera, por nuk mund të paragjykojmë. Nuk e kam njoftimin që ka ndonjë konfirmim, për aq sa kam mundur ta vërej nuk ka ndonjë disponim për t’u realizuar ky takim. Sepse, bëhet fjalë për agjendën e Kuvendit. Nuk e shohim të natyrshme që kjo temë të bartet në zyrat apo në të drejtën e kryeministrit”, tha Quni në Tëvë1.

Në letrën të cilën Kurti ia ka dërguar kreut të LDK-së të premten (10 maj), Lumir Abdixhiku, bëhet e ditur se takimi është paraparë të mbahet të hënën më 13 maj në orën 18:30 në një nga hotelet e kryeqytetit.