Janë evakuuar 14 qytetarë nga Lagjja Berkoc në Gjakovë si pasojë e vërshimeve të ujit, derisa nuk ka të rrezikuar për jetë, ka njoftuar për Teve1.info operatori i qendrës 112 në Gjakovë, Arben Bobani.
Ai tha se nga uji i shirave të dendur janë vërshuar 62 shtëpi, kryesisht në bodrumet e tyre kurse shërbimi emergjent i Gjakovës deri më tani ka intervenuar në 42 prej tyre.
Sipas Bobanit, tashmë po pritet ndihma edhe nga shërbimi emergjent i Prishtinës të cilët do t’u dalin në ndihmë me dy automjete, por shtoi se niveli i ujit veç se ka filluar të bie.
“Jemi në gjendje para fazës së vlerësimit të dëmeve. Rrezik për jetë nuk ka, kryesisht kemi vërshime të ujit nëpër bodrume. Bëhet fjalë për një lagje ku nga Rruga ‘Shote Galica” janë evakuuar në një pjesë 12 veta de në një lokacion tjetër 2 veta. Deri më tani janë evidentuar 35 lokacione me 62 shtëpi të përfshira nga vërshimet e ujit. Në 42 shtëpi kemi interveno dhe jemi duke vazhduar edhe me 20 shtëpi tjera kryesisht në këtë lagje”, tha Bobani.
Vërshimet kanë ndodhur si pasojë e shirave të pandërprerë që e kanë përfshirë Kosovën që nga dita e premte.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik, mot i njëjtë pritet të vazhdoj në pjesën më të madhe të ditës së shtunë, me tendencë të pakësimit reshjeve në mbrëmje.