Një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje nga Skenderaj është arrestuar për një vjedhje të rëndë të kryer në një shtëpi në Polac, fshat në të cilin banon.
I arrestuari, siç mëson Paparaci nga burime brenda organeve të rendit, është Ardian Koci.
Bashkë me të, për rastin e vjedhjes së kryer në 6 mars të këtij viti, janë arrestuar edhe tre të tjerë.
Vjedhja e një shume të konsiderueshme të parave dhe stolive të arit kishte ndodhur në 6 mars të këtij viti në një shtëpi në Polac. Ndërsa, katër të dyshuarit janë arrestuar mbrëmjen e të enjtes.
“Lidhur me rastin më datë 09.05.2024 njësiti i hetuesisë ka arritur të identifikoj dhe arrestoj katër të dyshuar meshkuj kosovarë”, tha Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.
Policia tha se një veturë dhe disa veshmbathje janë sekuestruar si prova materiale.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës në datën 7 mars, vjedhja kishte ndodhur në një shtëpi të fshatit Polac.
“Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se të dyshuar të panjohur nga shtëpia e tij i kanë vjedhur para dhe ari (që të dyja në vlerë të konsiderueshme)”, thuhej në raportin e Policisë një ditë pas kryerjes së vjedhjes.
Ardian Koci në një takim me Hysni Mehanin, kryetarin e Degës së LVV-së në Skenderaj dhe kryeministrin Albin Kurti
Paparaci, ka mësuar se Ardian Koci është një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe djali i ish-kryetarit të nëndegës së LVV-së në Degën e partisë në Skenderaj.
Koci, i dyshuar për vjedhjen e rëndë në bashkëkryerje, është nipi i Ahmet Zabelit, gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga fshati Rezallë e Skenderajt.
I dyshuari i tjetër për vjedhjen e rëndë në Polac është Arbër Gashi, ka mësuar Paparaci. Koci dhe Gashi janë miq me njëri-tjetrin, tregojnë disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale.
Katër të dyshuarit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.