Pas konfirmimit të kryeministri Albin Kurti se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshilli të Evropës është kushtëzuar me dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese, ka pasur reagime të ndryshme të cilat janë munduar të shpjegojnë se pse ka ndodhur një gjë e tillë.
Pushteti ka fajësuar aleatët e Kosovës për shantazh, kurse njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe opozita kanë drejtuar gishtin nga Qeveria Kurti. Sipas këtyre të fundit, kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE është bërë për shkak të mosbesimit që shtetet kryesore evropiane kanë ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Por, ndryshe mendojnë përfaqësuesit e pushtetit. Deputetët e VV-së kanë bërë me dije se vendosja e kushteve për Kosovën në këtë proces është një shantazh që partnerët po i bëjnë Kosovës.
Kështu mendon edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Arbëresha Kryeziu-Hyseni.
“Këtu lë të kuptosh se bashkësia ndërkombëtare po do ta shfrytëzojë këtë si kartë të fundit, që ta shantazhojë Kosovën për ta rikthyer çështjen e Asociacionit. Mund të jetë shantazh prej pikëpamjes time, nuk ka asnjë sens që të kërkohet nga Kosova ta dërgojë në Kushtetuese një non paper”, ka thënë ajo në emisionin “Debat Plus”.
Sipas deputetes së VV-së, Kosova deri tash ka bërë gjithçka për anëtarësim në Këshill të Evropës.
“Unë nuk besoj që ka faj Kosova, sepse kemi bërë gjithçka që është kërkuar që të hapet rruga drejt anëtarësimit. Nuk ka asgjë në dorën tonë. Është në dorën e ministrave”, është shprehur ajo.
Të njëjtën gjë e mendon edhe deputeti i VV-së, Dimal Basha.
Ai ka vlerësuar se Kosova po kushtëzohet nga shtetet evropian vetëm pse nuk po i bën lëshime Serbisë në procesin e dialogut të Brukselit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Basha ka shkruar se Evropa është e përkushtuar që ta mbaj Kosovën jashtë kësaj familje.
“Kosova e përkushtuar të bëhet pjesë e familjes evropiane! N’anën tjetër, Evropa po aq e përkushtuar të na mbaj jashtë kësaj familje! Jo se nuk ndajmë vlera me ta apo që s’i plotësojmë kriteret, por sepse nuk po i bëjmë favore Serbisë, që vazhdon të udhëhiqet nga klani i Millosheviqit dhe mbetet aleat i ngushtë i Putinit! Urime Dita e Evropës!”, ka shkruar Basha.
Aleatët nuk i besojnë Kurtit
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, beson se kushtëzimi ka ndodhur vetëm për shkak të mosbesimit ndaj kryeministrit Kurti.
Ai ka bërë me dije se Kosova duhet t`i përmbush zotimet ndërkombëtare që i ka marrë.
“Është poshtëruese për ne, për një arsye. Ideja, kërkesa që ka lindë me kaq intensitet ka të bëjë me mosbesimin që paraqitet ndaj personit të Kurtit sa i përket zotimit të realizimeve ndaj obligimeve që janë marrë. Ne kemi pa, nga ai në mënyrë të vazhdueshme në pjesën dërmuese, sa ka qenë akoma diskrejt statusi, që është thënë se po përpilohet, ka thanë bane se mu nuk më lanë, kur është bë publik është thënë se nuk është në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë Hasani.
Sipas tij, kryeministri Kurti vazhdimisht i ka ndërruar fjalët për këtë çështje.
“Kryeministri me muaj të tërë ka thënë se nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, do i japim vërejtjet tona, gjithmonë është mendu se vërejtjet jepen kur shkon në Kushtetuese se ato nuk jepen në hava. Thotë jemi zotu, që pas nënshkrimit të marrëveshjes, por në letrën që e dërgojnë me Vjosën dhe Glaukun, e thonë se pa kusht do ta bëjmë. Marrëveshja, letra që ky i ka thënë se pa kusht do të zbatohen me pranimin e Kosovës në KiE, do të zbatohet Marrëveshja dhe Aneksi i Ohrit, edhe ai është zotim me shkrim që e kanë nënshkru të tretë. Mosbesimi është ky, që deri këtu, ata, nuk po them unë, por shihet në bazë të diskursit, i kanë ndërru fjalët kohë pas kohe, sa i përket cështjes së zbatimit”, është shprehur Hasani në emisionin “Konfront” të KTV-së.
Edhe sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se Qeveria Kurti është fajtore për kushtëzimin e anëtarësimi të Kosovës në Këshill të Evropës.
Ajo ka treguar se ky kushtëzim ka ardhur pasi aleatët e Kosovës e kanë humbur besimin në Qeverinë Kurti.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Çitaku ka thënë se zotimi i tre krerëve institucionalë në letrën drejtuar KiE-së për formim të Asociacionit ka legjitimuar kërkesën e aleatëve për t`i vendosur kushte Kosovës në rrugën e saj drejt KiE-së.
“Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KE, me çështjen e Asociacionit është kryekëput rezultat i humbjes së besimit të aleatëve tanë në lidershipin e krerëve të institucioneve të Kosovës. Letra e dërguar nga Osmani, Konjufca dhe Kurti, dhe zotimi i dhënë aty për themelimin e Asociacionit, e legjitimoi kërkesën e aleatëve tanë”, ka thënë Çitaku.
Sipas saj, tani aleatët nuk i besojnë më Qeverisë së Kosovës.
“Tani, problemi është që aleatët nuk po iu besojnë me zotimeve të Kurtit&co. Po kërkojnë veprime konkrete. Kurtit po i kërkohet të veprojë në zotimet që i ka dhënë vet. Kjo dëshmon një paaftësi flagrante të lidershipit të Kosovës për të lexuar dhe kuptuar qartë dhe drejtë mesazhet dhe komunikimin diplomatik”, është shprehur Çitaku.
“Euronews” dje ka raportuar se Franca, Gjermania dhe Italia i kanë kërkuar Këshillit të Evropës që të shtyjë votimin – përkatësisht të mos e vendos në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave – për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE.
Duke cituar burime diplomatike, media në fjalë tregon pse ndodhi kushtëzimi.
“Lëvizja e Kurtit për të refuzuar parakushtin ka pakënaqur Francën, Gjermaninë dhe Italinë, të cilat kanë kërkuar nga Këshilli i Evropës që të shtyjë vendimin përfundimtar për aplikimin e Kosovës, thanë burime diplomatike”, ka shkruar “Euronews”.
Sipas këtij mediumi, në takimin e Komitetit të Ministrave, i cili do të mbahet me 16-17 majit, Kosova nuk do të jetë në agjendë.