Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ishte i pari që paralajmëroi se Kosova duhet të bëjë hapa konkret për themelimin e Asociacionit para se ta mendoj anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Këto deklarata diplomati amerikan i bëri gjatë muajit mars sa ishte për vizitë në Prishtinë.
Tani kur kanë mbetur një javë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, Kosovës po i kërkohet nga shtetet kryesore evropiane që ta dërgoj një draft-statut për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.
E me këtë qasje të shteteve mike nuk po pajtohet kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili dje gjatë një konference për medie tha se kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin është absurd.
Me vëmendje këto zhvillime po i përcjellë edhe eurodeputeti holandez, Thijs Reuten.
Ky thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës.
“Shpresoj që Kosova do të rikthehet në agjendë për javën e ardhshme kur do të mblidhet Komiteti i Ministrave në Këshillin e Evropës, sepse Kosova me të vërtetë i ka plotësuar kriteret për tu anëtarësuar në këtë organizatë. Raportin e Dora Bakoyannis e kanë mbështetur shumica e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, prandaj Kosova duhet të rikthehet në agjendë”, thotë ai për Tëvë 1
Tutje, diplomati holandez e sheh të padrejtë kushtëzimin e Kosovës me Asocacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ai i ka bërë thirrje shteteve anëtare të Këshillit të ndryshojnë qëndrim para mbledhjes së Komitetit të Ministrave që do të mbahet javën e ardhshme.
“Më zhgënjim po e shoh se disa shtete të rëndësishme tani po kërkojnë diçka nga Kosova që nuk ka qenë e paraparë më herët për tu bërë anëtare në Këshillin e Evropës. Me të vërtetë mendoj se është një qasje e padrejtë dhe prandaj po i bëjë thirrje këtyre shteteve që të ndryshojnë qëndrim. Kosova e ka pranuar se do të punoj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por kjo çështje nuk duhet të përfshihet në Këshillin e Evropës” , shprehet eurodeputeti holandez.
Dy shtetet kryesore të Evropës, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me Asociacionin e komunave me shumicë serbe./teve1