Gjeneral brigade Arthur J. Garffer nga ushtria amerikane ka marrë zyrtarisht detyrën e shefit të Shtabit të misionit KFOR të drejtuar nga NATO-ja në Kosovë.
Ai pason gjeneral brigade John Bozhicevic po ashtu nga ushtria amerikane, në një ceremoni në Shtabin e KFOR-it sot në Prishtinë, ku të pranishëm ishin zyrtarë të lartë të NATO-s dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.
“Ka qenë një privilegj të shërbej në misionin më të gjatë të NATO-s në historinë e Aleancës Atlantike. Unë e di se KFOR-i do të vazhdojë të bëjë një ndryshim për sigurinë lokale dhe rajonale, nën udhëheqjen e aftë të gjeneral brigade Arthur J. Garffer”, tha gjeneral brigade John Bozhicevic.
Komandanti i KFOR-it, gjeneral Ozkan Ulutash lavdëroi shefin e Shtabit në largim për shërbimet e tij, duke thënë se John Bozhicevic ka punuar me përkushtim dhe profesionalizëm si pjesë e misionit paqeruajtës në Kosovë.
Gjatë takimit me Arthur Garffer, kreu i KFOR-it Ozkan Ulutash tha se ai do të sjellë një përvojë jetike për punën e këtij misioni në kryerjen e detyrave në të ardhmen.
“Jam i bindur se lidershipi i tij do të kontribuojë në rritjen e mëtejshme të efektivitetit tonë operacional, ndërsa ne vazhdojmë përpjekjet tona në mbështetje të sigurisë për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”, tha Ulutash.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), dhe punon në koordinim të ngushtë me të dyja.