Presidentja Vjosa Osmani sot ka kujtuar heroin Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij.
Ajo tha se Ilir Konushevci me veprimtarinë unike për kauzën e luftës çlirimtare është ndër figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit e sektorit të logjistikës.
“Vrasja e tij së bashku me mjekun Hazir Mala në pritë të organizuar, ishin humbje e rëndë për UÇK-në, pikërisht në kohën e organizimit dhe shtrirjes së madhe të saj. Besnikëria, ndershmëria, guximi dhe vendosmëria ishin virtytet e Ilirit, i cili ra për lirinë e popullit të tij”.
Osmani tha se falë atij dhe bashkëluftëtarëve, “ne jemi të lirë, ndaj drejtësia për të është domosdoshmëri dhe respekt për sakrificën sublime”.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Ilir Konushevci dhe mjekun Hazir Mala!”.