Presidenti kinez, Xi Jinping, vizitoi sot Serbinë dhe u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ata nënshkruan një deklaratë për ngritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në nivelin e partneritetit strategjik, duke përshkruar Serbinë si vendin e parë në Evropë me të cilin Kina po ndërton një komunitet me të ardhme të përbashkët.
“Ky është niveli më i lartë i bashkëpunimit mes dy vendeve”, ka deklaruar Vuçiq për mediat.
Në takimin mes presidentit serb dhe atij kinez u diskutua edhe mbrojtja e “interesave themelore dhe afatgjate”, për të cilat Xi kishte një tjetër mesazh.
“Kina mbështet Serbinë në respektimin e pavarësisë së saj dhe ndjekjen e një rruge të zhvillimit që u përshtatet kushteve të saj, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial sa i përket çështjes së Kosovës”, tha ai.
Kujtojmë se deri më tani, Serbia nuk i është bashkuar asnjë deklarate ndërkombëtare kundër Kinës, edhe pse kjo e fundit është në shënjestër të kritikave për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe përballet me akuza për shtypjen e një pakicë myslimane që jeton në provincën Ksinjiang.