Dy persona kanë përfunduar në prangat e Policisë pasi dyshohet se i sulmuan policët e Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Ferizaj, pasi i kapën në flagrancë në fshatin Dremjak me disa traktorë me dru. Një i dyshuar ka arritur të ikë, ndërsa dy të tjerët që u arrestuan tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Sinjali ka mësuar se personat e ndaluar për këtë rast janë Kasem Rashiti (33) dhe Arbrim Ademaj (31).
Të dyshuarit fillimisht kanë tentuar t’i godasin me traktorë policët dhe kanë vazhduar rrugën duke u futur ndaras në rrugica malore dhe dy prej tyre janë bllokuar.
“Me datën 07.05.2024 rreth orës 20:45 gjatë patrullimit policët e Njësisë së Reagimit të Shpejtë në fshatin Dremjak të Ferizajt kanë vërejtur tre traktorë të ngarkuar me drunjë dhe në përpjekje për ti ndaluar ata kanë rrezikuar pjesëtarët e policisë, duke tentuar ti godasin me traktorë dhe kanë vazhduar rrugën duke u futur ndaras në rrugica malore dhe dy prej tyre janë bllokuar, ndërsa njëri ka arritur të ikë në drejtim të panjohur.” – ka njoftuar Policia.
Ndërsa më pas, Policia ka arritur që t’i prangosë Rashitin dhe Ademajn, por gjatë arrestimit i kanë rezistuar policëve dhe për pasojë, dy zyrtarë kanë pësuar lëndime trupore.
“Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit rajonal me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj janë dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa në kërkim policor është edhe personi i tretë.”