Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut: 1.8 milionë votues në listë zgjedhore, garojnë 17 parti dhe koalicione

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë filluar të votojnë mëngjesin e së mërkurës për t’i zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit në zgjedhje të dyfishta.

Rreth 1.8 milion shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë vote në këto dy palë zgjedhje: rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe në zgjedhjet parlamentare.

Këto janë zgjedhjet e para të dyfishta që mbahen në ketë vend prej vendosjes së demokracisë në vitet ‘90.

Në garën për Parlamentin e ri marrin pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.