Nënshkruhen në 7:00 të mëngjesit, kur nis punën ndërrimi i parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe rikthehen për t’u nënshkruar sërish në orën 14:00, kur e përfundon orarin.
Kjo është “puna” që bëjnë dy toksikologët e QKUK-së, Pëllumb Islami dhe Demush Bajraktari, për më shumë se tre vjet, raporton REL.
Të vetmit specialistë në toksikologji brenda QKUK-së, ata pranojnë se nuk e ushtrojnë funksionin e tyre, por thonë se nuk kanë kushte.
Klinika e Biokimisë, ku janë të punësuar, nuk ka laborator të veçantë për trajtimin e rasteve toksikologjike.
“Nuk kemi zyrë, nuk kemi kompjuterë dhe laboratori mungon në tërësi. Në mungesë të këtyre [gjërave], është e pamundur të zhvillohet puna e specialistit të toksikologjisë”, thotë Islami për Radion Evropa e Lirë.
Ngjashëm pohon edhe kolegu i tij, Bajraktari, dhe shton se kërkon mbështetje nga menaxhmenti për të funksionalizuar shërbimin e toksikologjisë.
Udhëheqësit e Klinikës së Biokimisë thonë se Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës – me të cilin dy toksikologët kanë nënshkruar kontratë – është i njoftuar me mosangazhimin e tyre.
“Dy kolegët nuk kontribuojnë asgjë, veç vijnë dhe nënshkruhen”, thotë drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, Islami dhe Bajrakari kanë nënshkruar kontratë pune me SHSKUK-në në mars të vitit 2021 dhe që nga ajo kohë marrin pagë prej më shumë se 1.200 eurosh në muaj.
“Ata duhet të angazhohen diku, që ta arsyetojnë pagën, [sepse] kjo është zhvatje klasike e buxhetit. Ma merr mendja që edhe ata vetë nuk e ndiejnë veten mirë. Marrin pagë sikur kolegët që punojnë me orë të tëra e me fluks të madh [pacientësh]”, thotë Veseli.
Ai shton se, nëse Biokimia nuk ka kushte tash për tash, janë klinikat e tjera, si ajo e Gastroenterologjisë, Psikiatrisë apo Emergjente, që kanë nevojë për toksikologë.
Veseli thotë se ShSKUK-ja është njoftuar për gjendjen në fillim të këtij viti.
Në emailin e dërguar prej tij, të cilin e pa REL-i, shkruante:
“Ky veprim [i toksikologëve] është zhvatje e buxhetit tonë dhe krijon pakënaqësi te kolegët. Andaj, kërkojmë që ata të risistemohen”.
Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë