I dyshuari që dhunoi seksualisht për një vit 14 vjeçaren nga Ferizaj ishte zyrtar i Policisë së Kosovës

Herën e parë e kishte dhunuar në Autobus. E më pas për një vit rresht 59 vjeçari nga Ferizaj kishte kryer akt seksual me një 14 vjeçare në motel. Ai është Ilaz Ramadani i cili ka qenë pjesëtarë i Policisë së Kosovës vite me parë. I njëjti është larguar nga ky institucion pas akuzave për kryerje të disa vepra penale.

Në prill të vitit 2024 një 59 vjeçar nga Ferizaj është arrestuar për veprën penale “Dhunim”.

Ai po dyshohet se në mënyrë sistematike ka kryer akt seksual me një të mitur të moshës 14 vjeçare. Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit.

Gazeta Insajderi ka mësuar se personi i dyshuar është Ilaz Ramadani. Në kohën kur e ka kryer aktin çnjerëzor, i dyshuari ka qenë shofer i autobusit të një linje në Ferizaj. Pikërisht në autobus, i dyshuari në momentin që ka mbetur vetëm me viktimën e ka shfrytëzuar rastin dhe ka kryer akt seksual me të miturën pa dëshirën e saj. E pas kësaj, ai e ka dërguar edhe disa herë të tjera në një Motel në Ferizaj.

Merret vesh se i dyshuari para disa viteve ka qenë pjesëtarë i Policisë së Kosovës. Ai ka shërbyer në stacionin e policisë në Shtime.

Por, sipas burimeve brenda policisë, Ilaz Ramadani është larguar nga puna për shkak të kryere së disa veprave penale.

Jo zyrtarisht gazeta mëson se ai ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Pas largimit nga policia ai është punësuar si shofer i autobusit.

“E shfrytëzoi seksualisht pa dëshirën e saj”- Çfarë thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt

Me 19 prill Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas njoftimit të tyre, thuhet se i pandehuri në periudhë kohore nga muaji prill i vitit 2023 deri në muajin mars të viti 2024, në vazhdimësi ka detyruar të dëmtuarën e mitur të moshës nën katërmbëdhjetë (14) vjeçare që të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj.

“Fillimisht herën e parë, ashtu që derisa ishte si shofer i autobusit dhe pasi që niset nga një fshat i Komunës së Ferizaj në drejtim të fshatit tjetër, i pandehuri pasi e merr të dëmtuarën e mitur në autobus (vetëm këta të dy), ky aty ndal autobusin në një vend të përshtatshëm ku nuk kishte shtëpia dhe për qëllime seksuale e ka keqpërdorur seksualisht, në atë mënyrë që i pandehuri ka kryer akt seksual me të dëmtuarën në autobus e pastaj në kohë të pacaktuar në disa raste e dërgon tek një motel në Ferizaj dhe aty kryen marrëdhënie seksuale përkundër refuzimit të dëmtuarës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt.

Gazeta ka dërguar pyetje lidhur me rastin tek Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës por deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.