Kurti në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime; Besimi është armatura në themelin tonë ekonomik

Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime është mbledhur sot, nën kryesimin e Kryeministrit Albin Kurti, derisa pjesëmarrës kanë qenë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ministra e përfaqësues nga kabinetet qeveritare.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë sese një dialog i fuqishëm publik privat forcon besimin ndërmjet dy sektorëve prandaj është thelbësore të kuptohet se si një dialog i tillë i strukturuar mirë mund ta transformojë ekonominë, raporton Express.

Ai tha se “besimi është armatura në themelin tonë ekonomik”, dhe se pa të edhe planet më të mira dështojnë..

Kurti u ka bërë thirrje bizneseve më konkurruese, shoqatave të biznesit dhe projekteve të financuara nga donatorët që të vazhdojnë e forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të zhvilluar plane strategjike dhe operacionale që rrisin investimet e huaja direkte, eksportet dhe nxisin zhvillimin efektiv të biznesit.

“Përmes dialogut, ne identifikojmë mundësitë e zhvillimit të sektorit privat, duke rritur investimet e huaja direkte, duke shtuar eksportet dhe duke ngritur konkurrencën e përgjithshme të bizneseve kosovare. Imagjinoni mundësitë kur bashkojmë pikat tona të forta dhe ndajmë një vizion të përbashkët.

Po aq e rëndësishme është edhe fuqia jonë punëtore. Nëpërmjet formimit dhe edukimit profesional, që synon plotësimin e nevojave të sektorit privat, ne po krijojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë. Ne duam që qytetarët tanë të jenë të përgatitur mirë dhe konkurrues, pikërisht këtu në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe se si Kosova së fundmi ka arritur vlerësimin e saj inaugurues të kredisë sovrane nga Fitch Ratings, falë mbështetjes nga USAID-i.

“Kjo arritje do të rrisë investimet e huaja, do të ulë kostot e huamarrjes, do të përmirësojë qasjen në tregjet globale të kapitalit dhe do të nxisë edhe më tej rritjen ekonomike të vendit tonë. Shpresoj se dialogu ynë mund të përqendrohet gjithnjë e më shumë në mundësitë e investimeve dhe të eksporteve. Strategjia dhe politikat e mira i parandalojnë problemet. Me kalimin e kohës, ne do të bashkërendisim dialogun tonë në mënyrë që si qeveria ashtu edhe sektori privat të kenë qartësi se si të përmirësojnë mjedisin e biznesit”, ka thënë Kurti.