Kili: Magjia e futbollit në ishullin Robinson Crusoe

Ekipi i ishullit Robinson Crusoe në Kili luajti në turneun vendas të kupës së futbollit për herë të parë në histori. Tifozët, stafi drejtues bashkë me lojtarët kanë nisur një nga udhëtimet më unike në futbollin botëror.

Ishulli vullkanik i Robinson Crusoe, 670 kilometra (416 milje) në perëndim të kontinentit në Kili, u riemërua në vitin 1966 pas romanit të famshëm të Daniel Defoe i cili flet për një burrë që duhet të mbijetojë i vetëm, në një ishull të largët.

Mbi 300 vjet pas shkrimit të romanit, ky ishull me rreth 1200 banorë shijoi një nga momentet më të mrekullueshme futbollistike.

Për herë të parë, ishulli konkurroi në kupën kombëtare të Kilit. Federata e Futbollit të Kilit ftoi ishullin Robinson Crusoe dhe ishullin Alejandro Selkirk që të bashkohen dhe të konkurrojnë si “Arkipelag Juan Fernandez”. Të shtunën e fundit të prillit (27.04.2024), ata u përballën me tri herë fituesit e kupës Santiago Wanderers dhe humbën ngushtë 2-1.

Portieri i Juan Fernandez, Hector Melo, i cili bëri një sërë pritjesh të shkëlqyera, dha një intervistë emocionuese më pas duke folur për shokët e tij të skuadrës, njerëzit në ishull dhe magjinë e futbollit.

Shumica e ekipit vizitues ndërmorën një lundrim me varkë më shumë se 30 orë për të udhëtuar jashtë ishullit, meqenëse pista e tij ajrore është shumë e vogël.

Marcelo Diaz është një nga gazetarët që udhëtoi në Robinson Crusoe për të mbuluar ndeshjen. Pasi mori një fluturim me një avion të vogël me hapësirë për jo më shumë se tetë pasagjerë, ai thotë se më pas i duhej të bënte një udhëtim tjetër për rreth dyzet minuta me varkë për të arritur në qytetin kryesor të San Juan Bautista.

Edhe pse i izoluar, San Juan Bautista ka vende për të qëndruar, një sistem telefonik nga më të fundit dhe televizion satelitor. Forcat ajrore të Kilit sigurojnë transportin për kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe dentar mes pistës së vogël të ishullit.

“Banorët duan që ishulli të njihet më mirë. Në vitin 2010, ata pësuan një cunami, më 2011 një tragjedi ajrore. Ata duan të shikohen ndryshe. Kjo është arsyeja pse janë kaq të emocionuar për lojën,” tha Diaz për DW.

“Trajneri është Jorge Garces, një ish-lojtar dhe trajner fitues i titullit në vitin 2001. Ndaj skuadra është përgatitur më së miri”.

Peshkatarët përballë profesionistëve

Garces, i cili për ironi fitoi një titull me Santiago Wanderers, skuadra me të cilën u përball Juan Fernandez, jetoi në ishull për dy muaj për të trajnuar skuadrën

“Zoti më solli këtu dhe e falënderoj për këtë”, tha Garces.

Ka ndoshta katër deri në pesë ekipe në ishull që konkurrojnë për një titull, por lojtarët janë amatorë dhe shumica punojnë si peshkatarë. Karavidhet vendas me gjemba janë një delikatesë e veçantë, por korrja e tyre e bën më të vështirë gjetjen e kohës për të luajtur futboll.

Megjithatë, kupa ndezi ethet e turneut në ishull dhe nisja e pranisë së klubit në Instagram në fund të shkurtit ka sjellë historinë e jashtëzakonshme të klubit për mbarë botën.

“Njihuni me Hernan Retamales, mjeshtrin e detit dhe golit. Aftësitë e tij në det dhe në fushë janë të padiskutueshme!” lexon titulli nën një prezantim video të Retamales.

“Njihuni me Pedro Calderon, një peshkatar me përvojë dhe këshilltar i përkushtuar, që tani shkëlqen në vijën e parë të ekipit tonë!”

Një tjetër thotë: “Fredy Arredondo, vetëm 16 vjeç, talenti më i ri në ekipin tonë! Student dhe mesfushor qendror, tregon pjekuri dhe aftësi në çdo lojë dhe e ardhmja e ekipit është në duar të sigurta.”

Duket se i gjithë komuniteti i futbollit të vendit u mahnit nga ky takim, me ish-portierin e kombëtares së Kilit, Luis Marín, që u dhuroi doreza dy portierëve.

Më shumë se një lojë

Rreth 150 gazetarë dhe anëtarë të ligës erdhën në ishull për të shijuar ndjeshjen. Për të transportuar të gjithë vizitorët kërkohej ndihma e marinës kiliane; u rezervuan edhe akomodimet, të cilat janë të kufizuara. Kudo që njerëzit qëndronin, qentë që lehnin me siguri i shoqëronin gjatë natës.

Udhëtimi në ishuj të largët për lojëra futbolli nuk është aq i rrallë sa duket. Në kompeticionin e kupës së Francës, skuadrat e huaja të lidhura me Federatën Franceze të Futbollit nga territore të tilla si Guadeloupa, Guiana Franceze, Martinika dhe Tahiti kanë konkurruar të gjitha në raundet paraprake, me disa që kanë udhëtuar mijëra kilometra për të luajtur.

Por nuk mund të mohohet se një udhëtim me varkë në ishullin Robinson Crusoe për të luajtur në raundin e parë të kupës është diçka unike. Edhe pse suksesi i Juan Fernandez nuk u materializua, gara e Kupës së Kilit ka pasur plot rezultate befasuese, por ndoshta asnjë më të famshëm se në vitin 2008, kur skuadra e ligës së tretë Deportes Ovalle shkoi në finale që më pas e humbi për një fije.

Përtej karavidheve dhe zhytjeve, ishulli po kërkon të ndryshojë imazhin e tij në botë. Ndeshja e futbollit ka filluar ta bëjë këtë, dhe megjithëse ky grup peshkatarësh, studentësh dhe anëtarësh këshilli nuk fituan në ndeshjen e parë, tani më ata kanë bërë historinë për komunitetin e tyre.

Në romanin Robinson Crusoe, Defoe shkroi në mënyrë të famshme: “Nuk është kurrë vonë për të qenë i mençur”. Në këtë ishull të largët të Paqësorit, rezulton se nuk është kurrë vonë për të ëndërruar. /DW