Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në Fushë Kosovë dhe po cilësohet si “Vrasje e rëndë në tentativë”, pasi një burrë po dyshohet se ka goditur me thikë në kokë një person tjetër. I dyshuari tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Rasti ka ndodhur në banesën e të dyshuarit në rrugën “17 Shkurti”, ku fillimisht e kishte ftuar viktimën, e më pas e ka goditur pasi kishte refuzuar të konsumojë drogë dhe të kryente marrëdhënie seksuale.
Sinjali ka mësuar se sipas informacioneve të para, palët kanë lidhje familjare mes vete, pra janë nip (i dyshuari) e dajë (viktima).
Policia ka njoftuar se viktima që u sulmua me thikë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, teksa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nën ndikim të substancave narkotike, fillimisht e kishte joshur viktimën mashkull kosovar, që të konsumoj substancë narkotike, e pasi viktima kishte refuzuar të konsumoj , i dyshuari e kishte joshur (cytur) që të kryejnë marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së tij, dhe pasi edhe kësaj here viktima kishte refuzuar, i dyshuari me një thikë kuzhine, e kishte goditur viktimën në kokë , me ç’rast i shkakton lëndime trupore”.